Thumb Showbiz

Kritikat për koncertet gjatë shtatzënisë: Reagon Dafina Zeqiri

Kritikat për koncertet gjatë shtatzënisë: Reagon Dafina Zeqiri
  • PublishedMarch 22, 2025

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, ka zgjedhur të vazhdojë performancat e saj muzikore edhe gjatë periudhës së shtatzënisë. Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka shpjeguar se skena ka qenë gjithmonë një formë terapie për të dhe se muzika e ndihmon të përballet me sfidat e jetës.

Dafina thekson se performon jo për përfitime financiare, por për dashurinë e saj ndaj muzikës dhe artit. Ajo inkurajon gratë që gjatë shtatzënisë të vazhdojnë të ndjekin pasionet e tyre, duke theksuar se kjo periudhë nuk duhet të shihet si një pengesë për të vazhduar aktivitetet profesionale apo personale.

Këngëtarja ka qenë gjithmonë e njohur për stilin e saj unik dhe vendosmërinë për të qenë vetvetja, duke mos lejuar që opinionet e të tjerëve të ndikojnë në vendimet e saj personale apo profesionale.

“Unë jam shtatzënë dhe vazhdoj të performoj në koncerte, sepse kjo është arsyeja përse e kam nisur këtë rrugëtim që në fillimet e mia. Që nga fëmijëria, performanca dhe muzika kanë qenë terapi për mua – më kanë ndihmuar të përballem me depresionin, të shprehem lirshëm dhe të përballoj sfidat e jetës, qofshin ato emocionale apo fizike. Edhe kur nuk jam ndier mirë, skena ka qenë vendi im i shërimit. E bëj këtë punë jo për para, por nga dashuria e pastër për muzikën dhe artin. Besoj se çdo grua ka të drejtën dhe fuqinë të vazhdojë karrierën e saj gjatë shtatzënisë, për sa kohë është e shëndetshme dhe ka një shtatzëni të sigurt. Të jesh shtatzënë nuk do të thotë se je e sëmurë apo se duhet të ndalosh jetën tënde.”